Home Botë Ngjarje nga bota

Ngjarje nga bota

Kancelari austriak përballet me Putinin për krimet e luftës në Ukrainë

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, tha se i tha Vladimir Putinit se “të gjithë ata që janë përgjegjës” për krimet e luftës duhet të sillen para drejtësisë dhe paralajmëroi se sanksionet perëndimore do të shtohen për sa kohë që njerëzit vazhdojnë të vdesin në Ukrainë.

Pasi u bë lideri i parë perëndimor që zhvilloi bisedime ballë për ballë me presidentin rus që nga pushtimi i Ukrainës, Nehammer tha se udhëtimi në Moskë nuk ishte “një vizitë miqësie” dhe se të dy kishin pasur një “bisedë të drejtpërdrejtë, të hapur dhe të vështirë.”

Në takim, Nehammer shprehu gatishmërinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për bisedime personalisht me presidentin rus, por Putin nuk dha “asnjë përgjigje”, duke injoruar ofertën, tha një zyrtar austriak për Guardian.

Aktivisti i njohur i opozitës ruse është arrestuar në Moskë

Një aktivist i njohur i opozitës ruse dhe kritik i hapur i pushtimit të Ukrainës është arrestuar në Moskë, tha avokati i tij për gazetën e pavarur të lajmeve Sota të hënën në mbrëmje.

Vladimir Kara-Murza, 40 vjeç, është një kritik i njohur i Kremlinit, i cili thotë se u helmua qëllimisht në Moskë në vitin 2015 dhe 2017 si hakmarrje për përpjekjet e tij lobuese për të vendosur sanksione të SHBA dhe BE kundër zyrtarëve rusë të akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut. Kara-Murza për pak sa nuk vdiq nga bllokimi i veshkave në incidentin e parë.

Avokati i tij për një kohë të gjatë, Vadim Prokhorov, tha se Kara-Murza ishte arrestuar vonë të hënën me akuzën e mosbindjes ndaj urdhrave të policisë dhe do të përballet me 15 ditë burg ose një gjobë të vogël. Nuk është e qartë nëse arrestimi i Kara-Murza ishte i lidhur me kundërshtimin e tij ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë, por arrestimi vjen mes një goditjeje të paprecedentë ndaj mediave të pavarura dhe disidencës kundër luftës.

Një çerek miliardë njerëz tani përballen me varfëri ekstreme, paralajmëron Oxfam

Rritja e çmimit të ushqimit të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës dhe rritja e kostove të energjisë mund të shtyjë një çerek miliardë njerëz më shumë në varfëri ekstreme, ka paralajmëruar organizata e bamirësise Oxfam.

Organizata tha se këto sfida të reja ishin shtuar për shkak edhe të krizave ekonomike të krijuara nga Covid dhe bëri thirrje për veprim urgjent ndërkombëtar, duke përfshirë anulimin e shlyerjes së borxhit për vendet më të varfra.

Presidenti i Ukrainës paralajmëron për “fazë të re terrori”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur shqetësimin se forcat ruse po përgatisin “një fazë të re terrori” që mund të përfshijë përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Kryebashkiaku i Mariupol tha se më shumë se 10,000 civilë kishin vdekur deri më tani.

Suedia dhe Finlanda bëjnë lëvizje për t’u bashkuar me NATO-n

Partia qeverisëse e Suedisë ka filluar debatin nëse vendi duhet t’i bashkohet NATO-s dhe Finlanda pritet të marrë një vendim brenda javësh. Moska paralajmëroi se pranimi i vendeve nordike “nuk do të sillte stabilitet” në Europë.

Të dyja vendet janë zyrtarisht të paangazhuara ushtarakisht, por mbështetja publike për anëtarësimin në NATO është dyfishuar që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, në rreth 50% në Suedi dhe 60% në Finlandë, sugjerojnë sondazhet e shumta.

Ministrja gjermane jep dorëheqjen sepse shkoi me pushime pas përmbytjeve vdekjeprurëse

Një ministre e kabinetit gjerman ka dhënë dorëheqjen pasi u zbulua se ajo shkoi me pushime menjëherë pas përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar. Anne Spiegel dha dorëheqjen nga posti si Ministre Federale për Çështjet Familjare, Qytetarët e moshuar, Gratë dhe Rininë të hënën.

Në të gjithë vendin, më shumë se 180 ndërruan jetë nga përmbytjet.