Home Rajon Nisja e serbëve nga veriu me autobus e vetura për të votuar...

Nisja e serbëve nga veriu me autobus e vetura për të votuar në Serbi, Policia: Kolona të gjata në Jarinje dhe Bërnjak


Në Serbi sot janë duke u mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Si rezultat i kësaj shumë qytetarë serb nga veriu i Mitrovicës kanë udhëtuar drejt Serbisë për të votuar.

Lidhur me këtë Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se janë krijuar pritje të gjata në disa pika kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.

“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës ka theksuar se në këtë fushëveprim ka paraparë masat dhe veprimet e Policisë së Kosovës në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe autorizimeve të saj konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, garantimin e lëvizjes së lirë dhe sigurisë së përgjithshme në vend”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës në aspektin e sigurisë ka vlerësuar se situata është e qetë dhe stabile./Telegrafi/