Home Uncategorized Një grua thuhet se u shërua nga HIV pas transplantit të qelizave...

Një grua thuhet se u shërua nga HIV pas transplantit të qelizave staminale

Një paciente me leuçemi në SHBA është bërë gruaja e parë dhe personi i tretë që është shëruar nga virusi HIV pas transplantit të qelizave staminale nga një dhurues i cili ishte natyralisht rezistent ndaj virusit që shkakton SIDA-n, raportuan studiuesit të martën.

Qelizat staminale janë lëndët e para të trupit – qeliza nga të cilat krijohen të gjitha qelizat e tjera me funksione të specializuara. Në kushtet e duhura në trup ose në laborator, qelizat staminale ndahen për të formuar më shumë qeliza.

Rasti në fjalë është i pari që përfshin gjakun e kordonit umbilikal (kërthizor) dhe është një trajtim që mund të bëhet i disponueshëm për më shumë njerëz.

Që nga marrja e gjakut të kordonit për të trajtuar leuçeminë akute mieloide, gruaja ka qenë pa virus për 14 muaj, pa pasur nevojë për trajtime të fuqishme për HIV të njohura si terapi antiretrovirale.

“Ky është tani raporti i tretë i një kure në këtë mjedis dhe i pari te një grua që jeton me HIV,” tha në një deklaratë Sharon Lewin, presidente e Shoqatës Ndërkombëtare për SIDA-n.

Rasti është pjesë e një studimi të udhëhequr nga Dr. Yvonne Bryson nga Universiteti i Kalifornisë në Los Angeles dhe Dr. Deborah Persaud nga Universiteti Johns Hopkins në Baltimore.