Home Uncategorized Një listë me poezi që duhet t'i lexoni (shijoni) patjetër

Një listë me poezi që duhet t’i lexoni (shijoni) patjetër

Që prej 1999-ës, 21 marsi është shpallur nga UNESCO si Dita Botërore e Poezisë, qëllimi i së cilës është njohja, përjetimi, mësimi dhe publikimi i poezisë nga autorë dhe gjuhë të ndryshme. Në vijim do të gjeni një listë me poezi nga autorë të huaj dhe shqiptarë që jo vetëm duhen lexuar, por duhen shijuar dhe ndjerë pa qenë e nevojshme të shpjegohen.

Poezi nga autorë të huaj

1. Sergei Esenin- Letër nga nëna

Përse të flas,
E ç’të mendoj gjë tjetër,
Ç’të shkruaj
E ç’të them në varg?
Mbi tryezën e mërzitur
Kam një letër,
Që nëna ime
Ma dërgon nga larg.

Ajo më shkruan:
“Bëj si bëj, o bir,
Dhe eja në shtëpi
Për kërshëndella;
Po mos harro,
Një shall për mua, bli,
Për plakun
Bli poture me tegela.

Shafran në zemër kam
Që je poet,
Që zure mik e shok një nam të rëndë;
Për mua plakën fare s’ishte keq,
Sikur të ktheje arat
Me parmendë.

U plaka
Dhe në gjunjët s’kam fuqi,
Po ti sikur
Të mos braktisje strehët,

Tani do kisha nuse
Në shtëpi

Dhe do përkundja
Nipin tim në prehër.

Po ti fëmijët
Nëpër botë i dhe,
Ia fale tjetrit gruan mirë e mirë,
Dhe mbete
Pa familje, pa fole
Në pellgun e mejhanes së pështirë.

Po ç’pate, ç’pate, bir,
Pëllumbi im?
Ti ishe kaq i brishtë
E kaq pa fjalë;
Dhe bota thoshte plot me përgjërim:
Ky Sandër Esenini
Paska djalë!

Po shpresa jonë vate,
Doli bosh,
Na hidhëroi zhgënjimi shpirtin shumë,
Yt atë e kishte mjaft gabim kur thosh:
Poetëve u derdhet paraja lumë!

Sado të marrësh,
Në shtëpi s’dërgon,
Këtë e di,
Prandaj po flas kaq hidhur,
Poetëve paraja s’u qëndron,
Se janë xhepashpuar, qesezgjidhur.
Shafran në zemër kam
Që je poet,
Që zure mik e shok një nam të rëndë;
Për mua plakën fare s’ishte keq
Sikur të ktheje arat
Me parmendë.

Tani pa kuaj jemi
E pa plëng!
Sikur mos humbje rrugëve të qytetit,
Këtu në fshat, o bir, ti kishe mend
Të bëheshe kryetar i komitetit.

Dhe ne do të mbroheshim
E s’do na merrnin ters,
Dhe ti s’do bridhje i mërzitur vonë;
E bëja gruan tënde të endte lesh,
Të kishte paqe pleqëria jonë’’.
………………………………….
Unë letrën kap
Dhe mendtë i kam ujem;
Mos vallë e humba daljen nëpër shtigje?
Por ç’ka mendoj
Më vonë do t’ju them,
Kur nënës sime
Shpejt t’i kthej përgjigje.

2.Rudyard Kipling: “Në mundsh”

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im!

3. Edgar Allan POE – ANNABEL LI

Ka shumë e shumë vjet
Në një vënt afër në det,
Ish një vajzë që muntni t’a njihni tani
Nënë emërin Annabel Li;
Dhe kjo vajzë më donte edhe tjatër s’kërkonte
Veç t’a deshnja sikundër më desh.

Isha i vogël dhe ish e vogël në vjet
N’atë vënt afër në det;
Po duheshin më tepër se me dashuri
Unë dhe im-Annabel Li;
Me një dashuri që dhe
Engjëjtë lart në lavdi
Që të dyve na kishin zili.

Andaj, tani e shumë vjet,
Tek ky vënt afër në det,
F’ryri veriu nga ret’ e ma ngriu
Të bukurën Annabel Li;
Edhe motrat e saj ëngjëllesha
M’a rrëmbyen, m’a mbyllën në varr se e desha,
Dhe kështu më la shëndet
Nga ky vënt afër në det.

Engjëjtë që s’kishin sa ne dashuri
Që të dyjve na mbanin mëri.
Po – përandaj, siç e dini vërtet,
Tek ky vënt afër në det
Fryri veriu një nat’ e m’a ngriu
E m’a vrau tim-Annabel Li.

Dashuria që kishim’ ish m’e fortë se çdo dashuri,
S’e ka patur as plak as i ri,
As i marr’, as i urtë njeri
Dhe as Engjëjt e qiellit në erë,
As demonët përposh në skëterrë;
Shpirtin tim s’munt t’a shqitin nga shpirti
I së bukurës Annabel Li.

Se tek hëna që ndrit, syri im ëndërrit
Për të bukurën Annabel Li;
Dhe çdo yll që shkëlqen syt’ e ëmbël rrëfen
Të së bukurës Annabel Li;

Nat’ e ditë e shoh, edhe zemrën m’a ngroh,
Shoq’ e dashura ime, e mjera jetime,
Përmi varrin ku deti buçet,
I rri pranë mi varrin në det.

4. Nazim Hikmet- Malli

Ka njëqind vjet që s`ta kam parë fytyrën
Që s`të jam qepur belit,
Që s`të kam qëndruar në beben e syrit,
Që s`kam pyetur dritësinë e mendjes tënde,
Që ngrohtësinë e barkut s`ta kam prekur

Ka njëqind vjet që më pret
Një grua në një qytet.

Ishim në një degë, ishim në një degë,
Nga një degë ramë e u ndamë,
Mes nesh koha njëqind vjeçare
Rruga njëqind vjeçare.
Njëqind vjet në errësirën pa skaj
Vrapoj pas saj…

5. Pablo Neruda- “Mos fajësoni askënd”

Mos fajësoni askënd
Asnjëherë mos ankoheni për askënd ose për asgjë

sepse në thelb keni bërë

atë që dëshironit në jetën tuaj.

Pranoni vështirësinë e ndërtimit të vetes

vetveten dhe guximin për të filluar ta korrigjoni veten.

Triumfi i njeriut të vërtetë lind nga

hiri i gabimit tuaj.

Asnjëherë mos u ankoni për vetminë ose fatin tuaj

përballeni me guxim dhe pranojeni.

Në një mënyrë apo në një tjetër është rezultat i

veprimet tuaja dhe të provojë se ju gjithmonë

duhet te fitosh ..

Mos u hidhëroni për vetë dështimin tuaj ose

ia ngarkoni një tjetri, pranojeni veten tani ose

ju do të vazhdoni të justifikoni veten si fëmijë.

Mos harroni se çdo moment është

mirë për të filluar dhe se as nuk është

kaq e tmerrshme te hiqesh dore.

Mos harroni se shkaku i së tashmes tuaj

është e kaluara juaj si dhe shkaku i juaj

e ardhmja do të jetë e tashmja juaj.

Mësoni nga të theksuarit, nga të fortët,

nga ata që nuk pranojnë situata,

kush do të jetojë pavarësisht gjithçkaje,

mendoni më pak për problemet tuaja

dhe më shumë në punën tuaj dhe problemet tuaja

pa i eleminuar ata do të vdesin.

Mësoni të lindni nga dhimbja dhe të jeni

më e madhe se pengesat më të mëdha,

shiko në pasqyrën e vetvetes

dhe do të jesh i lirë dhe i fortë dhe do të ndalosh së qeni një

kukull e rrethanave sepse ti

ti je fati yt.

Çohu dhe shiko diellin në mëngjes

Dhe merr frymë në dritën e agimit

Ju jeni pjesë e forcës së jetës tuaj,

Tani zgjohu, lufto, ec,

vendosni mendjen tuaj dhe do të keni sukses në jetë;

kurrë mos mendo për fat,

sepse fati eshte:

preteksti i dështimeve …

6. Charles Baudelaire- Një kalimtareje

Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte.
Veshur në të zeza në dhimbje madhështore,
një grua shkoi duke tundur plot salltanet,
kindet e dantellat e fustanit të saj të gjatë

Po pija në mejhane i përhumbur, tapë e ekstravagant
kur ajo kaloi para meje, me kembë prej statuje e fisnike
si shqiponjë. E, thellë në sytë e saj, qiell gri ku lind urugani,
pashë embëlsinë që magjeps e epshin që vret…

Ish një vetëtimë verbuese e pastaj u bë… natë!
O bukuri kalimtare që më bëre të fluturoj me krahë,
vallë, s’do të shoh më, në këtë jete a në eternitet?

Ajo iku e humbi mes turmës! S’do t’a shihja kurrë!
Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja unë.
Por, oh, qeshë i bindur! Po, qeshë i sigurtë!
Ajo do ish gruaja që do të kisha dashuruar…

7.Jorge Luis Borges- “Të drejtët

Një njeri që e mirëmban kopshtin e tij, siç dëshironte Volteri.
Ai që është mirënjohës që në tokë ka muzikë.
Ai që gjen me kënaqësi një etimologji.
Dy punonjës që luajnë shah të heshtur në një kafene në Jug.
Poçari që paramendon një ngjyrë dhe një formë.
Një tipograf që e kompozon mirë këtë faqe, të cilit mbase nuk i pëlqen.
Një grua dhe një burrë që lexojnë tripodet e fundit të një kënge.
Ai që përkëdhel një kafshë që fle.
Ai që justifikon ose dëshiron të justifikojë një të keqe që i është bërë.
Ai që është mirënjohës se banor i tokës është dhe Stevensoni.
Ai që preferon që të tjerët të kenë të drejtë.
Këta njerëz, të cilët nuk merren parasysh, po shpëtojnë botën.

8.Bertolt Breht- Atyre që lindën pas nesh

Vertet jetoj ne kohe te zymta!
Fjala e shtendosur eshte e çmendur. Nje balle i lemuar
tregon pandjeshmeri. Ai qe qesh
ka gjasa te mos i kete arritur akoma
lajmi i tmerrshem.

Ç’kohe jane keto, ne te cilat
nje fjalim mbi pemet eshte pothuajse nje krim
pasi nenkupton heshtjen mbi kaq shume krime.
Ai aty qe po pershkon qetesisht rrugen
ndoshta nuk eshte me i arritshem per miqte e tij
qe vuajne.

Eshte e vertete: fitoj akoma buken e gojes
por me besoni: eshte nje rast i rralle. Asgje
nga çfare bej s’me jep te drejten te ngopem.
Rastesisht me kane kursyer.
(Kur te shuhet fati im jam i humbur.)

Me thone: „Ha e pi! Ji i kenaqur pasi ke!“
Por si mund te ha e pi, nese
ajo qe ha ia heq atyre qe kane uri dhe
gota ime e ujit i mungon atyre qe vdesin atjeje?
Por gjithsesi ha e pi.

Do me pelqente edhe te isha i urte.
Ne librat e vjeter shkruajne çfare do te thote i urte:
te rrish jashte telasheve te botes e te kalosh
kohen e shkurter pa frike.

Edhe t’ia dalesh pa dhunen,
te kthesh te keqen me te mire,
te mos permbushesh deshirat vetjake, por te harrosh,
kjo eshte quajtur urti.
E gjithe kesaj nuk ia dal:
vertet jetoj ne kohe te zymta!

Ju qe dilni nga batica
ne te cilen ne jemi mbytur
kujtoni,
kur te flisni per dobesite tona
edhe kohet e zymta
te cilave ju u shpetuat.

Ecnim, duke nderruar me shpesh vendet sesa kepucet,
permes luftrave te klasave, te deshperuar
kur kishte vetem padrejtesi e asnje revolte.

E gjithashtu dime:
edhe urrejtja kundrejt skamjes
shtremberon pjeset e fytyres.
Edhe terbimi per padrejtesite
e ben zerin te ashper. Ah, ne
qe donim te pregatisnin truallin per miresjelljen,
ne nuk mund te ishim te sjellshem.

Por ju, kur te arrije çasti
qe njeriu te jete mik i njeriut,
na kujtoni
me miresi.

Poezi nga autorë shqiptarë

1. Teodor Keko- E dashur erdha

E dashur erdha! Pse vrenjtesh kot?
Ti po më prisje përsëri,
mos u çudit, unë jam një zog.

kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do, të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.

Po e mbylle derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Do bësh sikur më ke inat.
Ndodhi e vjetër, unë e di!

S’jam buzëqumësht, por esnaf,
për dashurinë di plot dredhi!
Unë do të puth, do të pushtoj në gji,
dhe po ma mbylle derën ti.

E dashur, erdha, në prag ke dalë,
ke hapur portën dhe qesh nën hundë.
Sa përbetohesh me qindra fjalë,
më mirë, eja, më puth!

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!

Do, s’do të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptpj!

E dashur, erdha, pse vrenjtesh kot,
ti po më prisje përsëri.

Mos u çudit! Unë jam një zog.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

2.  Frederik Rreshpja- “Mos e mallko me ndarje këtë natë”

Mos e mallko me ndarje këtë natë!
S’duhet të ndahemi në këtë peizazh me erë,
Nën këto re të qielit rrënojë.
Argjendi i dhembshur i këtij peizashi.
Në shpirt si medalion do të të rëndojë.

Se në ditët më të trishtuara
Të kam mbrojtur nga pikëllimi i qiejt me shi.
Dashuria ime mund të bëhej çati e tërë botës.
E çdo vjeshte. E çdo stine.

Jam i trishtuar. Trëndrafilat e tu.
Më mbetën në duar si plagë
Dhe perëndimi rend pas mollëve me pishtar
T’i vërë flakën kësaj nate.

Ndoshta do të kthehesh një ditë,
Por pas mollëve e viteve,
Atëbotë perëndimi do të ketë djegur çdo gjë.
Ah! Në këtë botë të madhe, vetëm unë e ti
Nuk do të jemi të lumtur më…

3. Fatos Arapi- “Si s’të desha pak më shumë”

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:

Si s’të desha pak më tepër…

4. Azem Shkreli- “Në vend të përshëndetjes”

Shko se furishëm po fryen në mua erë mallkimi që s’të fal
Dhe dije mirë, kurrë me një e një nuk bëjn një si thonte Hikmeti, ai fare poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde, hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumir.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmat nëpër të clat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepëtirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdogjë po Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si
fluturat e ua ngjisnim nga një emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko merri me vete edhe rrugët të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të
rrejshëm gërmadhat e kujtimit t’i gëzosh.

Shko mbyllu në do kështjella të largëta harrimi ku s’të zgjojnë më këmbonat e
pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim që
mëkatin s’e lan, që s’mundet të shpojë gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro shytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë n’mua rreket e gjakut të ndezur.

5. Dritëro Agolli- Kjo grua

Kjo grua që bie erë çokollate,
Me mua ra dikur në dashuri,
Tani jeton me burrin në pallatet,
Që ngritem vjet në bulevard të ri.

Dhe nuk e di, e lumtur është vallë,
Me burrin zemërbardhë e shtatëlartë,
Qëndroj ta përshëndes, t’i them ca fjalë,
Si kalimtar, si mik e shok i largët.

Por kokën nuk e kthen ajo nga unë,
Trak-trukun e sandaleve lë pas,
Atë në djalëri e desha shumë,
Betoheshim të ishim përherë bashkë..

Por bashkë s’patëm fat të lidhnim jetën,
Se donte apartament të ri e telefona,
Unë bëja veç artikuj për gazetën,
Dhe flija redaksive në poltrona…

Por unë e di, akoma natën në ëndërr,
i shfaqem, e hap derën bojë hiri,
i shfaqem dhe i futem drejt në zemër,
Megjithëse pranë saj fle zemërmiri.

Kjo grua që bie erë çokollate,
Që desh nga unë apartament të ri,
Tani jeton me burrin zemërbardhë,
Jeton e lumtur?
Nuk e di!

6. Xhevahir Spahiu- Rekuiem për orën 6

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
që s’ekziston

Unë morra pikëllimin për dore

7. Lasgush Poradeci

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-

Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.

8. Ismail Kadare- Një vajzë

Duke te puthur pa te dashur
ne shpirt ai ty te plagoi,
buz’pergjakur nga t’kuqt e tu
si vrases tinez shkoj.
Krenar qe ty “te shtiu ne dore”
gjith shokve emrin tend ju tha.
Pran gotes birres per ty folen
ne park te dielave ata..
Dhe ti e vetme mbete
bosh mbene syte e tu ne net bilbilash
si sheshi i shkrete ku porsa ndodhi
nje katastrofe automobilash…
Tani, kur shkon rruges se Dibres
ata me sy te ndjekin pas.
Dikush me brryl i bie shokut,
-e sheh filanen? e ka pas…
Dhe ti ul koken, shpejton hapin
t’arrish tek shoqja sa me shpejt
te perserisesh fjalet standart
ah njelloj jane te gjithe djemt.
Te dyja t’ulura prane radios
do ndizni heshtur nje cigar,
tek supi i saj nen fjale lajmesh
nje cast dremitja do te marr
dhe do te coje ne nje rrug tjeter
me gjere, me bukur, dhe me re.
Atje ne sfond fabrikash njerzit
nga kembet sdo tu vene re.
Atje tek ecesh ne mes turmash,
ne nje grup djemsh, ndoshta midis,
dikush me brryl do ti bjer shokut,
-e sheh filanen? ishim miq…

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.