Home Sport Nuhiu: Një ndeshje e madhe, dominuam në çdo aspekt

Nuhiu: Një ndeshje e madhe, dominuam në çdo aspekt


Drita ka arritur fitore në derbin e javës së 26-të në BKT Superligën e Kosovës ndaj Prishtinës me rezultat të pastër 2-0.

Ishte një ndeshje e dominuar nga bardhekaltërtit ku golat i shënuan në pjesën e dytë me Marko Simonovskin dhe Prince Balde.

Pas ndeshjes trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka thënë se e kanë dominuar në çdo aspekt Prishtinën dhe djemtë bënë një ndeshje të madhe.

“Djemtë bënë një ndeshje të madhe. Një pjesë e parë e dominuar në çdo aspekt ku mungonte vetëm finalizimi”.

“Ishte mëkat të mos e fitonim këtë ndeshje. Një ndeshje e madhe nga skuadra jonë, si në qarkullim të topit e po ashtu edhe krijuam shumë për ta fituar takimin”.

“Për fund dua t’i falënderoj tifozët për mbështetjen dhe lojtarët për angazhimin”, deklaroi trajneri Ardian Nuhiu.

Me këtë fitore Drita shkon në kuotën e 46 pikëve në pozitën e tretë të BKT Superligës së Kosovës tre më pak se rivali lokal Gjilani që ka 49 pikë në pozitën e dytë dhe tetë më pak se lideri Ballkani që ka 54 pikë. /Telegrafi/