Home Maqedoni Osmani: Familja Spirkovski dhe fëmija i posalindur po largohen nga Ukraina

Osmani: Familja Spirkovski dhe fëmija i posalindur po largohen nga Ukraina

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani nëpërmjet një postimi në facebook ka njoftuar opinionin se familja Spirkovski nga qyteti i Kharkovit tanimë është e sigurt dhe është rrugës për tu larguar nga Ukraina.
“Familja Spirkovski, nga qyteti i Kharkovit, e cila ishte në gjendjen më të rëndë, me një të posalindur vetëm disa ditësh, aktualisht është pjesë e një korridori të posaçëm të sigurtë, më se 100 km larg qytetit dhe është rrugës për t’u larguar nga Ukraina. Janë të sigurtë dhe në gjendje të mirë. Pres që gjatë ditës të largohen nga Ukraina dhe më pas me ndihmën e rrjetit tonë diplomatik, nga fqinjët e Ukrainës, do të bëhet transporti i tyre për në Shkup. Ky është rasti më i komplikuar i procesit të evakuimit. Vazhdojmë edhe më tej, në bashkëpunim me partnerët dhe aleatët tanë të punojmë në gjetjen e korridoreve të reja të sigurisë për evakuimin e qytetarëve tanë nga Ukraina. Më lejoni t’ju informoj se në Kharkov, qytetin më të prekur nga veprimet ushtarake, për momentin nuk kemi më qytetarë të paraqitur”, ka shkruar Osmani në facebook.