Home Rajon Osmani në Forumin Diplomatik të Antalias: Bashkëpunimi rajonal dhe global, mundëson paqen...

Osmani në Forumin Diplomatik të Antalias: Bashkëpunimi rajonal dhe global, mundëson paqen dhe stabilitetin


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të punimeve të Forumit Diplomatik të Antalisë, sot ka marrë pjesë në panelin e liderëve ku u diskutua për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”.

Sipas Presidentes Osmani, paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar.

“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Osmani. Por, sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm.

“Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, është shprehur ajo.

Në këtë kontekst, Osmani ka potencuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor domosdoshmërisht duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike. Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se e vetmja mundësi për ta ruajtur paqen është komunikimi i qartë dhe i drejtpërdrejt, megjithëse sipas saj, paqja është gjithnjë e kërcënuar.

“Përkundër përparimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova si shtet, por edhe kontinenti ynë, sot të gjithë i shohim qartë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë, të cilat janë të vazhdueshme dhe aktive”, ka thënë ajo.

Diskutimin e saj, presidentja Osmani e përmbylli me një mesazh shprese për bashkëpunimin e botës demokratike për ruajtjen e paqes: “Ashtu siç u mblodh bota demokratike për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe gjenocidit në Kosovë në 1999, jam e sigurt që këtë do ta shohim edhe në rastin e Ukrainës dhe kudo tjetër në botë ku ka luftë dhe vuajtje”.

Ndryshe, në kuadër të këtij Forumi, Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla- Schwarz do të takohen me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrëse në këtë Forum.

Osmani dhe Gërvalla do të marrin pjesë në disa panele të këtij Forumi.

Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë, opinionbërës dhe akademikë.

Tema e këtij viti e Forumit të Diplomacisë së Antalisë është “Rikodimi i diplomacisë”.

Ky Forum do t`i zhvillojë punimet prej 11 deri më 13 mars dhe do të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 70 shtete. /Telegrafi/