Home Maqedoni Osmani në takim me Ambasadorët e vendeve-anëtare të BE-së: Maqedonia e Veriut...

Osmani në takim me Ambasadorët e vendeve-anëtare të BE-së: Maqedonia e Veriut ka demonstruar përkushtim ndaj procesit të reformave dhe bashkëpunimit rajonal

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osamni, sot kishte takim me Ambasadorët e vendeve-anëtare të BE-së, të akredituar në Maqedoninë e Veriut, njoftojnë nga MPJ.

Takimi kishte për qëllim që Ministri t’i informonte Ambasadorët dhe të jepte një pasqyrë për ndodhitë aktuale në lidhje me agjendën evropiane të vendit, veçanërisht për sfidat në marrëdhëniet bilaterale me Bullgarinë dhe procesin e miratimit të kornizës negociuese si parakusht për fillimin e negociatave me BE-në.

“Maqedonia e Veriut ka demonstruar përkushtim ndaj integrimit evropian, procesit të reformave dhe bashkëpunimit rajonal, duke krijuar kështu kredibilitet strategjik para partnerëve të saj. Nuk heqim dorë nga ambicia jonë për të vazhduar integrimin e jashtëm me fqinjin tonë më të afërt, që dëshirojmë të rezultojë me marrëdhënie të mira fqinjësore stabile dhe cilësore dhe me potencial për të kaluar në një miqësi të qëndrueshme me besim të fortë të ndërsjellë”, tha Osmani.

Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Në këtë kontekst, Osmani theksoi: “Vendi ynë në vitin 2021 ka arritur shkallë të lartë të harmonizimit me pozicionet e BE-së, deri në 96%, që është një indikator se vendi ndan vlerat dhe parimet e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.”

Duke folur për politikën e jashtme të vendit, shtojnë nga MPJ, Osmani iu referua edhe sfidave rajonale dhe të sigurisë dhe situatës në dhe rreth Ukrainës, e cila paraqet kërcënim për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare.