Home Rajon Përvjetori i 14-të i Pavarësisë së Kosovës: Braktisja e seancës solemne nga...

Përvjetori i 14-të i Pavarësisë së Kosovës: Braktisja e seancës solemne nga opozita, parakalimi i FSK-së e Policisë në shesh, e festa në Amerikë


Republika e Kosovës më 17 shkurt 2022 mbushi plotë katërmbëdhjetë vjet shtetësi.

Në këtë 14-vjetor si gjithmonë Kosovës nuk i mungoi kënga e vallja nëpër të gjitha qytetet, e megjithatë zyrtarisht me ceremoninë e ngritjes së flamurit shtetëror në prani të krerëve të shtetit, festa u hap qysh herët në mëngjes.

Parakalimi i pjestarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i Policisë së Kosovës në sheshet kryesore të kryeqytetit u ndoqën me entuziazëm të madh nga qytetarët.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti uruan qytetarët e Kosovës në këtë përvjetor, teksa vazhduan agjendën për të vendosur kurora lulesh në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme u mbajtë edhe seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, e cila nuk kaloi pa të papritura.

Deputetët e opozitës gjatë kësaj seance lëshuan sallën, teksa në foltore po mbante fjalim kryeministri Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj ka thënë se Kosova edhe sot qëndron fuqishëm me aleatët e saj, transmeton Telegrafi.

“Kosova fuqishëm edhe sot qëndron me aleatët e saj. Kosova nuk është e qershorit 1999 por as ajo e vitit 2008, liria jonë ende nuk është përmbushur, sot kujtojmë edhe të pagjeturit. Procesi i dialogut do të përfundojë me njohje reciproke, nuk do të lejojmë që ky proces të shkaktojë kokë-qarje, tërësia territoriale është e panegociueshme”, ka pohuar ajo.

Ndërkaq, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës lëshuan seancën solemne ende pa përfunduar fjalimi i Kurtit, transmeton Telegrafi.

“…Falë luftës ndaj korrupsionit e krimit, Kosova është renditur e para dhe u ngrit për 17 vende në luftimin e korrupsionit.

Kemi thelluar bashkëpunimin me miqtë tanë duke forcuar sigurinë për qytetarët.

Kemi realizuar numër rekord vizitash jashtë e brenda vendit dhe kemi ridenfinuar dialogun në Bruksel si dy shtete të barabarta dhe të përqendruar në njohje. Kemi ndryshuar praktikën e dëmshme që ishte në shkelje të rendit dhe Kushtetutës…”, tha ndër të tjera Kurti.

Fjalimi i Kurtit lidhur me qeverisjen nxiti deputetët që të largohen nga salla.

Ndryshe, gjatë fjalimeve në Kuvend, PDK ka lëshuar deklaratën e pavarësisë, që ishte lexuar nga ish kryeministri Hashim Thaçit kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha sot se seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 14 vjetorin e pavarësisë e kanë lëshuar në shenjë revolte me fjalimin e kryeministrit Albin Kurti.

Tahiri theksoi se në fjalimet e krerëve të shtetit nuk ishin përmendur akterët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, cilët kontribuuan për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës theksoi se fjalimi i sotëm i kryeministrit Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ishte përçarës, ofendues, i pavend dhe i padinjitetshëm.

LDK përmes një reagimi për media thotë se Kurti sulmoi opozitën, mediet dhe fjalën e lirë.

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se lëshimi i sallës nuk ka qenë i planifikuar por sipas tij, erdhi për shkak të fjalimit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Tahiri theksoi se Kurti fliste për çështje që nuk do të duhej të jenë pjesë e një seancë festive.

Si çdo përvjetor, monumenti i Pavarësisë së Kosovës edhe këtë vit ka marrë pamje tjetër.

Ish-deputeti Fisnik Ismaili, që është edhe ideatori i këtij monumenti këtë vit ka vendosur që mesazhi i këtij monumenti të jetë për gratë.

“Gratë me Krahë”, është mesazhi që përçohet përmes vizatimit në këtë monument.

Pjesë mjaft emocionuese e moment krenarie ishte edhe pjesa e parakalimit të ushtarëvë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me Policinë e Kosovës në në Prishtinë.

Parakalimi i tyre u përcjell nga qytetarë të shumtë, ndërsa presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti deklaruan se është nder për ta që të jenë para ushtarëve e policëve të Kosovës, transmeton Telegrafi.

Urimet nga vendet mike të Kosovës nuk munguan as këtë përvjetor, teksa kjo ditë u festua edhe në Amerikë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka uruar qytetarët e Kosovës në 14 vjetorin e pavarësisë, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

Po ashtu, për nderë të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, flamuri shtetëror valoi edhe në një lagje në Kansas të Amerikës.

Një familje shqiptare në një lagje të Kansas në Amerikë, kishte treguar fqinjitë të tij se në Kosovë festohet 4 Korriku, dita e Pavarësisë së SHBA-së, e në shenjë respekti, fqinji amerikan kishte vendosur që për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vendoset flamuri kosovar në lagje.

“Fqinjët tanë janë nga Kosova dhe na treguan se si e festojnë 4 korrikun në solidaritet me SHBA-në. Gjysma e rrugës sime vendosi që ne t’ia kthenim nderin dhe kemi vendosur flamujt e Kosovës për Ditën e Pavarësisë së tyre, me 17 shkurt”, shkroi amerikani Jon Fanelli në Tëitter.

Në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic ka shpërndarë një fotografi ku flamuri kosovar ndriçohet në shatërvanin e Zagrebit.

Në një shkrim në Twitter, krahas fotografisë ka shkruar ‘Gëzuar Ditën e Pavarësisë’.

Po ashtu gjatë ditës, edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic i ka shkruar letër urimi Presidentes Vjosa Osmani.

Krerët politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sot (17 shkurt) e kanë uruar Kosovën për 14 vjetorin e Pavarësisë.

Ata thanë se “shpallja e Pavarësisë së Kosovës është akti më patriotik i një populli të robëruar”, duke kujtuar të gjithë ata që kontribuan për çlirimin e vendit.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka uruar kosovarët për 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Erdogan thotë se me Kosovën kanë miqësi historike dhe lidhje vëllazërore, transmeton Telegrafi.

Po ashtu, Telegrafi ka sjellur te lexuesit edhe tekste, fotografi e video të punuara ekskluzivisht për nderë të kësaj feste.

Ndër to edhe rrëfimin e veçantë të kolonelit Destan Thaçi që udhëhoqi me operacionet policore në ditën kur u shpall pavarësia.

E po ashtu, video storjen me pjesëtarët e FSK-së gjatë ushtrimeve të kamuflimit në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog. /Telegrafi/