Home Rajon Policia arreston dy persona në Vushtrri, organizonin lojëra të fatit

Policia arreston dy persona në Vushtrri, organizonin lojëra të fatit


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në Vushtrri, pasi që të njëjtit kanë organizuar lojëra të fatit.

Policia po ashtu bën të ditur se kanë sekuestruar edhe disa aparate dhe gjësende të ndryshme të organizmit të lojërave të fatit.

“Pas pranimit të informatës se në disa lokale në Vushtrri janë duke u organizuar lojëra të fatit, sonte me 28.03.2022, hetues të Njësisë së Hetimeve Rajonale bashkë me hetues së Njësisë së Hetimeve në Vushtrri dhe në mbështetje të Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Drejtorisë Rajonale-Mitrovicë Jug, kanë identifikuar katër lokacione të ndryshme dhe më pas kanë kontrolluar lokalet e dyshuara në të cilat kanë gjetur aparate dhe gjësende të ndryshme të organizmit të lojërave të fatit”, njofton Policia.

Në tri lokale të kontrolluara, hetuesit kanë arritur të gjejnë: (6) aparate të lojërave të fatit, (3) printerë, (45) tiketa të lojërave të fatit, (1) shtëpizë kompjuteri, (1) pllakë elektrike, letër për tiketa dhe një sasi të parave (106 euro). Si i dyshuar për këtë veprimtari është arrestuar pronari i tri lokaleve A.Rr., 33 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës.

Në lokalin e katërt janë gjetur: (1) shtëpizë kompjuteri, (1) printer dhe (40) tiketa. Gjithashtu është arrestuar pronari A.B., 35 vjeçar. Gjësendet e gjetura në të gjitha lokalet janë konfiskuar nga ana e hetuesve dhe do të procedohen në cilësinë e provave materiale.

Pas procedurës së intervsitimit, të dyshuarit me urdhër të prokurorit lirohen në procedurë të rregullt ndërsa ndaj tyre janë iniciuar rastet për dyshimin e kryerjes së veprës penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. /Telegrafi/