Home Rajon Presidenti kroat në samitin në Bruksel propozon që Kosova të anëtarësohet në...

Presidenti kroat në samitin në Bruksel propozon që Kosova të anëtarësohet në NATO


Presidenti Kroacisë, Zoran Milanoviq ka marrë pjesë sot në samitin e NATO-s të mbajtur në Bruksel.

Gjatë fjalës së tij, presidenti kroat ka propozuar që Kosova të integrohet në Aleancën Veriatlantike, duke shtuar se kështu mund të bëhet shtet i plotë.

“Katër vendet anëtare të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, tha Milanoviq, raporton “Index.hr”.

Fotografi e pjesëmarrësve në samitin e sotëm të NATO-s në Bruksel

Milanoviq ka thënë se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.

“Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, tha Milanoviq.

Kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku i ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për t’u anëtarësuar në NATO.

Edhe Qeveria e Kosovës ditë më parë ka themeluar Grupin punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, NATO. /Telegrafi/