Home KOSOVË Presidentja Osmani: Bota ta dënojë autoritarizmin në Serbi, 6 mijë shqiptarëve iu...

Presidentja Osmani: Bota ta dënojë autoritarizmin në Serbi, 6 mijë shqiptarëve iu mohua votimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj siç ka thënë ajo, mohimit të të drejtës së shqiptarëve në Serbi për të votuar.

Ajo përmes një postimi në Twitter ka thënë se sipas raportimeve, 6000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar.

“Sipas raportimeve, 6.000 shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta e tyre themelore për të votuar për shkak të fushatës së qëllimshme pasivizuese të Serbisë për spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë.”, shkroi Osmani në Twitter.

E për vendimin e Serbisë që t’u pamundësojë votimin shumë shqiptarëve në Serbi, ka reaguar edhe Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

“Ju lutemi sigurohuni që këto raste të mbulohen mjaftueshëm në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues Zgjedhor, por veçanërisht në Deklaratën e PE-së”, ka shkruar Von Cramon.

Ndryshe, në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues.