Home Maqedoni Propozim i publicistit Daut Dauti: Emrin e Justina Shkupit, vullnetare e Spanjës,...

Propozim i publicistit Daut Dauti: Emrin e Justina Shkupit, vullnetare e Spanjës, ta kthejmë në Shkup

Publicisti dhe gazetari Daut Dauti, ka shkruar në dy vazhdime në gazetën e përditshme “Koha” për Justina Shkupin, një figurë fare të panjohur në vendlindjen e saj, Shkup, duke sugjeruar që emri i saj të kthehet atje ku e ka vendin.

Pas dy vazhdimeve të gazetës Koha, ai në facebook i është drejtuar edhe kryetarit të komunës së Çairit me propozim konkret: NJË RRUGË OSE AMBULANTË E ÇAIRIT, TË MARRË EMRIN E JUSTINA SHKUPIT!

“Qëllimi i shkrimit ishte që publiku ynë të njihet me një figurë të njohur pak, e që origjinën e ka prej Shkupi, që ka një biografi impresive për një femër të pjesës së parë të shekullit të kaluar: pjesëmarrëse e Luftës së Spanjës, si motër medicinale, e vetmja femër ndër vullnetarët shqiptarë , personazh i romanit “Hasta la vista” të Petro Markos, shoqe e Nënë Terezës…”, ka shkruar Dauti.

Ai përkujton se një rrugë e Madridit mban emrin e saj, ndaj e ka parëtë udhës që një material biografik t’ia dorëzojë kryetarit të Çairit, që të shihet mundësia për ta përjetësuar emrin e saj atje ku përket, në vendlindjen e fëmijërisë…”

Nga ajo që kanë shkruar autorët tjerë, Justina është e lindur në Shkup, më 26 shkurt 1909, e që sipas disa burimeve, emri i vërtetë i saj është Ana Shllaku, bijë e babait Andrea Shllakut me origjinë nga Shkodra dhe e së ëmës Marijes. Emri i kësaj familje mund të jetë gjurmë për hulumtues të gjejnë më shumë të dhëna.

“Dhe paramendoni pra faktin: e vetmja femër ndër vullnetarët shqiptarë, e ndoshta ndër të rrallat femra nga gjithë Ballkani, në brigadat internacionale, është nga Shkupi, dhe deri tash fare e panjohur për ne!”, ka shprehur habinë autori i shkrimit, duke shtuar se ajo do të vazhdonte të mbetej e harruar dhe e pavalorizuar, sikur, në vizitën e parë të në vitin 1989 në Shqipëri, nobelistja Nënë Tereza, të mos e ketë kërkuar shoqen e saj. Autori nga Shqipëria, Sadik Bejko  kështu e kishte përshkruar këtë situatë: “Në Tiranë Nënë Tereza, veç të tjerave, kërkoi të dinte se ku e kishte varrin, shoqja e saj e bankës në shkollën fillore. Ku e kishte varrin mikja e fëmijërisë, Justina Shkupi?”

Dauti përkujton situatën absurde që autoritetet e Shqipërisë nuk e kishin ditur se ku është varrosur ish-vullnetarja e Spanjës, ndaj, e kishin thërritur në ndihmë personin Bardhosh Gaçe nga Vlora, i cili e kishte pas si amanet për së gjalli nga Petro Marko që të kujdeset për varrin e Jusinës, dhe mezi e kishin gjetur, për t’ia mundësuar Nënë Terezës që të përkulet mbi varrin e shoqes së fëmijërisë. Hiq më pak, po shoqe banke, ka thënë me gojën e vet nënë Tereza. “Bardhosh Gaçja mbante mend një gorricë, pllakën e varrit me emër… por pas dhjetë viteve, gorrica ishte prerë, pllakat e varreve ishin thyer. U hap regjistri e varrezës me emrat e të vdekurve dhe…Bardhosh Gaçja e çoi Terezën e Kalkutës te varri i Justines në varrezat e Shtish-Tufines. Tereza i vuri lulet mbi varr Justinës”.

Dauti përkujton se për Justina Shkupin kanë shkruar autorë të ndryshëm, si shkrimtarët Skënder Luarasi, Petro Marko dhe Xhevahir Spahiu.

Safo Marko, Giuleta Myftari, Justina Shkupi dhe Petro Marko

Studiuesi Bardhosh Gaçe në kujtimet e tij për shkrimtarin Petro Marko, rrëfen bisedat me shkrimtarin për gruan fisnike dhe të përvuajtur Justina Shkupin, i cili me një rast i kishte thënë:“Justina Shkupi ishte shoqe me Nënë Terezën. Me dashurinë për njeriun dhe lirinë ajo shërbeu në frontin e Luftës së Spanjës si infermiere krahas Norman Betynit të famshëm. Ne shqiptarët duhet t’i ngremë një bust asaj në sheshet e Tiranës…”.

“Se çka do të bëjë Tirana, është çështje që i përket ErionVeliajt ose ndonjë tjetri pas tij, çështja është çka duhet të bëjë Shkupi. Ndaj, më tepër se për të bërë shkrim, i cili do të lexohet dhe nesër do të harrohet, u përpoqa që t’i drejtohem një institucioni relevant, komunës së Çairit dhe kryetarit të saj Visar Ganiu, i cili mund të bëjë diçka konkretisht që Justina Shkupin “ta kthejë” në vendlindje dhe t’ia gjejë një vend të merituar”, ka shkruar D.Dauti në gazetën “Koha”.

Idenë e Daut Dautit, siç mësojmë jozyrtarisht, e ka pëlqyer kryetari i komunës së Çairit dhe së shpejti mund të pritet edhe veprim konkret.