Home SHQIPËRI Rama: Me heqjen e taksës së kufirit do të ketë tjetër ulje...

Rama: Me heqjen e taksës së kufirit do të ketë tjetër ulje të biletave të fluturimeve

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Kompania WizzAir uli avionët e saj javën e shkuar në aeroportin ndërkombëtar “ZAYED – Flatrat e Veriut”, për të nisur në maj operimin e pandërprerë, me 4 destinacionet e para drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë.

Kryeministri Edi Rama në një intervistë në media bëri të ditur se Aeroporti i Kukësit krijon premisa për një zhvillim të rëndësishëm ekonomik në të gjithë zonën, ndërsa foli edhe për projektet në këtë sektor.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se aeroporti i Vlorës do të jetë më i madh se sa ai i Rinasit, ndërsa sa i përket aeroportit të Kukësit, ai u shpreh se krijon premisa për një zhvillim të rëndësishëm ekonomik në të gjithë zonën.

Lidhur me aeroportin e Sarandës, gjatë një interviste në medie, Rama bëri të ditur se do të jetë sezonal, duke theksuar se jugu i vendi është një ndër destinacionet e rëndësishme të turistëve.

“Areoporti i Kukësit krijon premisa për një zhvillim të rëndësishëm ekonomik në të gjithë zonën. Ndërkohë që Vlora është në kantier. Vlora e ka afatin e vet për 36 muaj. Ne do mundohemi të jetë pak më përpara, në mënyrë që brenda këtij mandati ne të fillojmë operimin. Vlora do jetë baza e Air Albania. Projekt tjetër është Saranda. Aeroporti i Sarandës ka tjetër natyrë, sepse është vetëm sezonal. Vlora do jetë gjatë gjithë vitit dhe do të jetë më i madh dhe se ai i Tiranës se përfshihet edhe kargo. Më i madh dhe si pistë”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama shprehu bindjen se turizmi do të jetë një transformues i madh në të gjitha aspektet ekonomike dhe në 2030 Shqipëria do jetë vendi me turizmin më të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria sa i përket turizmit po bëhet gjithmonë e më tërheqëse dhe e dyta si rezultat i një politike më liberale që ne ndoqëm në kohë pandemie. Me çmimet e rëna në mënyrë drastike në Aeroportin e Tiranës, vetëm Wizz Air u ka kursyer qytetarëve rreth 120 milionë euro dhe duke llogaritur edhe kompani të tjera bëhen rreth 220 milionë euro kursime nga biletat për shkak të uljes. Me heqjen e taksës së kufirit do të ketë tjetër ulje të biletave. Unë jam i bindur që turizmi do të jetë një transformues i madh në të gjitha aspektet ekonomike dhe në 2030 Shqipëria do jetë vendi me turizmin më të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kryeministri Rama.

Pas testimeve të suksesshme kompania WizzAir uli avionët e saj në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit “ZAYED – Flatrat e Veriut”, ku do të operojë me 4 destinacionet e para drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë