Home SHQIPËRI Receta e Alketës për të arritur deri te suksesi, mësojeni edhe ju

Receta e Alketës për të arritur deri te suksesi, mësojeni edhe ju

Alketa Vejsiu nuk preferon të jetë shpesh pjesë e mediave. Ajo e njeh botën mediatike, ia di meritat dhe “ngërçet”, ndaj edhe ka preferuar të jetë mikpritësja, dhe jo e ftuara. Përballë moderatores, mund të kesh pafund pyetje për t’i drejtuar, që nga dinamikat e shfaqjeve që drejton, karriera që njeh vetëm ngjitje, modeli i femrës shqiptare.

Mes rreshtave njihemi me një Alketë tjetër, një natyrë romantike dhe ëndërrimtare. Në “Love Story” i beson dashurisë, duke preferuar të qëndrojë neutrale në debate, por gjithnjë deri kur nuk preket dinjiteti i femrës. Më pas, prezantuesja nxjerr në pah një tjetër anë të sajën, atë që ajo modestisht nuk e quan “super grua”, por që në fakt shërben si model jo vetëm për ekranet, por edhe për çdo grua.

Si nënë, Alketa ka një këshillë të vyer për fëmijët e saj, por edhe për të gjithë brezin e ri. E si një femër që shfaqet gjithnjë në “top” formë, ka një guidë të vërtetë. Ndaj, për këto dhe për shumë arsye të tjera, ne e kemi quajtur formula e suksesit të Alketa Vejsiu. Alketa Vejsiu është ndër personazhet që është rritur në skenë, ndonëse ende sot ajo vijon këtë proces.

Duket si një formulë suksesi, por në fakt është një histori që ka brenda shumë punë dhe disiplinë të hekurt, për t’u shndërruar sot në moderatoren e preferuar të shqiptarëve. “Super grua është edhe ajo qe dështon e ringrihet, ajo që fiton pak, por jeton me dinjitet, ajo që s’bën 10 gjëra, por bën një dhe e bën shkëlqyeshëm, ajo që s’bën asgjë, por drejton dhe mëkon me dashuri familjen e saj”, është ky përkufizimi që Alketa Vejsiu ka për një “super grua”.

Riktheheni në krye të një sezoni të ri me “Love Story”, si ka qenë për ju deri tani ky format?

Unë e nisa me idenë e një përralle moderne romantike. Kisha ndjekur versionin amerikan të “The Bachelor” apo versionin italian të “Uomini e Donne” dhe ishin programe që linin një ndjesi të mirë kur i shihje. Dashuria dhe romancat kanë patjetër dramat, debatet dhe problemet e tyre edhe në jetën e vërtetë; por shpesh show, në versionin shqiptar, ka devijuar nga romanca në diskutime me tone të ashpra që e vrasin emocionin.