Home Maqedoni Regjistrimi i popullsisë, ballafaqimi me realitetin!

Regjistrimi i popullsisë, ballafaqimi me realitetin!

Numri i shqiptarëve është në vijën e lëvizjeve demografike e rirreshtimeve sociale, që përkundër natalitetit që tregon me rritjen e numrit në popullsinë e përgjithshme, tregon edhe procesin e emigrimit, ku ata marrin pjesë më tepër në popullsinë jorezidente. Në këtë pikë, maqedonasit qëndrojnë më mirë, më pak ikin jashtë vendit, por nataliteti e ka marrë haraçin…Çdo interpretim tjetër, do të ishte politikanizëm

Shkup, 30 mars – Dita D e regjistrimit ndodhi këtë ditë të 30 marsit. Doemos se ato mund të shkaktojnë huti, por, duke u nisur nga fjalët e drejtorit të Entit të Statistikës, për realizimin profesional, atëherë duhet t’i besojmë se e paraqet pasqyrën reale, atë që para 10 vjetësh nuk kishte gatishmëri e as përgatitje teknike për realizimin e procesit.

Është mirë që janë bërë dy shtylla paralele të regjistrimit: të popullatës rezidente, ajo të cilën e dëshironin disa qarqe që pretendonin numër më të vogël të shqiptarëve dhe të popullsisë së përgjithshme, që të dihet kush ku gjendet në këtë moment. Regjistrimi nuk do të thotë vetëm pasqyrë etnike, por dhe sociale, ekonomike, etj. Me këtë regjistrim, që ka për qëllim planifikimin e politikave të ndryshme të shtetit, këtë pasqyrë duket se e kemi më të qartë se kurrë.

Kuptohet, shifrat nuk janë të kënaqshme për ato qarqe që i kanë mëshuar një fylli duke u marrë me numrin e shqiptarëve me teza të ndryshme. Ata kanë harruar edhe prezencën e çdo populli në këto mjedise më shumë se njëqind vitet e fundit dhe në dëm të kujt janë bërë politikat shpopulluese(sidomos shpërnguljet masive pas luftës së dytë botërore) dhe janë marrë me ndonjë proces të vonshëm që gjoja se është reflektuar në popullsinë e Maqedonisë, edhe pse ajo nuk është gjë tjetër, pos një lëvizje migrative brenda një shteti(shpërngulja e kosovarëve dhe boshnjakëve në Maqedoni, që ishte rezultat i presioneve politike e policore për shpërngulje për Turqi, ishte brenda të njëjtit shtet). Dhe, duke harruar se njëkohësisht nga Maqedonia janë shpërngulur më shumë shqiptarë se sa kanë ardhur nga Kosova, kanë krijuar narrativin për gjoja falsifikim të regjistrimit të vitit 2002.

Po çka na tregojnë numrat e regjistrimit të vitit 2021, kur aq shumë na intereson përqindja. Duhet thënë se është befasues regjistrimi në pjesën e “popullsisë së përgjithshme”, pra, edhe asaj rezidente dhe jorezidente dhe këtu duket se ka rënë dukshëm numri i maqedonasve, në 54,21%, ndërkaq se është rritur ai i shqiptarëve në 29,52%(të tjerët: 3,98% turq, 1,18 serbë, 0,87 boshnjakë dhe 0,34% vllehë…). Te popullsia rezidente kemi shifra të tjera: 58,48% e qytetarëve janë deklaruar si maqedonas, 24,3% si shqiptarë, 3,86% turq, 2,53% romë, 0,94% vllehë dhe 0,87% boshnjakë.

Por, një analizë objektive do të tregonte se këto shifra të papërputhshme midis vete, janë në vijën e lëvizjeve normale demografike e rirreshtimeve sociale, që përkundër natalitetit të shqiptarëve që rezulton me rritjen e numrit në popullsinë e përgjithshme, në anën tjetër, tregon edhe procesin e emigrimit, ku ata marrin pjesë më tepër në popullsinë jorezidente. Në këtë pikë, maqedonasit qëndrojnë më mirë, më pak ikin jashtë vendit, porse nataliteti e ka marrë haraçin në total. Për këto tendenca, mund të dëshmojë çdo demograf. Shifrat vijuese për pjesën jorezidente me dalje e kthim brenda 12 muajsh e tregon më së miri tendencën(24,45 për qind janë deklaruar se janë maqedonas, dhe 66,36 shqiptarë, 4,79 janë thënë si turq, 1.02 romë 0.19 vllehë dhe 0.35 serbë.

Domethënë, te shqiptarët rol dominuese për ngritje dhe rënie është natalitetit më i lartë, por dhe frekuentimi më i madh i botës së jashtme, ndërkaq te maqedonasit nataliteti i ulët e ka ulur përqindjen krahasuar me atë të para dy dekadave, porse në popullsinë rezidente kjo është ulje më e vogël, pasi më pak dalin jashtë vendit për punë të përkohshme ose të përhershme…

Çdo interpretim tjetër, do të ishte politikanizëm dhe pazar pa hanxhiun. Shifrat janë në Entin e Statistikës dhe ato mund të kontrollohen në çdo kohë.