Home Rajon Rritja e çmimeve ndikoi edhe tek çerdhet private – komuna e Prishtinës...

Rritja e çmimeve ndikoi edhe tek çerdhet private – komuna e Prishtinës ende nuk ka përgjigje përkundër premtimit të Ramës në fushatë


Valës së ngritjes së çmimeve siç duket nuk do t’i shpëtojnë as kopshtet private të fëmijëve, pasi së fundi është raportuar se disa çerdhe në Prishtinë kanë rritur çmimin dhe po ashtu pritet që kjo rritje të shkojë në nivel vendi.

Në lidhje me këtë ka folur kryetarja e Asociacionit të Institucioneve Parashkollore dhe Private, Gëzime Rexhepi-Çollaku.

Në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se kopshtet private të cilat e kishin çmimin më të ulët, kanë filluar t’i ngritin çmimet për të “mbijetuar”.

Rexhepi-Çollaku nuk e përjashtoi mundësinë që ngritja e çmimit të bëhet edhe në nivel vendi.

“Sigurisht që ato kopshte private të cilat kanë operuar më një çmim më të ulët, ata janë të parët të cilët janë goditur nga shtrenjtimi i produkteve në treg. Mundësia e rritjes së çmimit të kopshteve private në Kosovë është e pashmangshme, në rast së vazhdohet me këto rritje të çmimeve të produkteve bazike në Kosovë”, dekoroi ajo.

Rexhepi-Çollaku ka bërë thirrje për institucionet gjegjëse që të bashkëpunojnë me Asociacionin, në të kundërtën sipas saj ose duhet të ngritet çmimi ose të mbyllen kopshtet private.

“Unë apeloj që institucionet përkatëse të bashkëpunojnë më institucionet e kopshteve private në Kosovë në mënyrë që të mos ua rëndojnë  xhepin akoma familjeve që rrisin fëmijë dhe që fëmijët e tyre vijojnë çerdhet. Ishte një krizë pandemie dhe tash kriza e rritjes së çmimeve akoma më e madhe sesa që ishte kriza e mëparshme më COVID-19. Kësaj nuk i thuhet ndryshe veçse krizë pas krizë kur kjo krizë na ka gjetur të lodhur dhe rritja e çmimeve na shpije në një situatë që ose t’i ngrisim çmimet ose ta shuajmë komplet veprimtarinë në të cilën jemi duke vepruar aktualisht”, deklaroi ajo.

Sipas saj aktualisht pagesa më e lartë e një kopshti privat në  Kosovë varion nga 100 deri në 140 euro.

“Më informatën që e kam në disa kopshte çmimi varion ka 100, 120 deri 140 e kjo shkon te kopshtet të cilat janë me standard akoma më të lartë. Mirëpo varësisht prej kopshtit është kopshti që e cakton çmimin vetë. Mirëpo edhe nëse do të këtë një ngritje të përgjithshme ajo do të behet vetëm sa janë ngritë çmimet e produkteve bazë në Kosovë”, vlerësoi ajo.

Në lidhje me këtë çështje,  Telegrafi ka pyetur edhe qytetarët në Prishtinë.

Shukrie Gori mendon që trendit të ngritjes së çmimeve në vend nuk kishte si të mos u shpëtonin as çerdhet, dukë shtuar se ajo i arsyeton ato pikërisht për këtë shkak.

“Çerdhet private i arsyetoj sepse janë ngritë dukshëm çmimet e produkteve bazike në Kosovë, sepse fëmijët në kopshte duhet të ushqehen më diçka. Besoj që ata kanë qenë të detyruar që i kanë ngritë çmimin ë kopshteve. Nëse gjithçka po shkon në rritje pse kjo jo. Po besoj që do të jetë shumë e rëndë kjo ngritje. Unë po flas si prind sepse nuk ka mundësi, dhe kapacitet gjithashtu që të gjithë t’i dërgojnë fëmijët në çerdhet publike. Në anën tjetër kur shikon pagat nuk janë duke u ngritur dhe detyrohesh mos më punu ose më dërgua fëmijën në çerdhe sepse nuk ke tjetër mundësi”, u shpreh ajo.


Kurse mendim tjetër ka Edona Ukshini, ajo tha se për atë si prind nuk është e përballueshme.

“Katastrofë s’kam koment. Kjo ngritje e çmimit ka ndodhë për shkak të ekonomisë. Për mua si prind nuk është e përballueshme, jo e kënaqshme. Kjo sepse 100 euro po kushton një pagesë për një muaj në një kopsht privat”, tha Ukshini.

Edona Ukshini ,qytetare

Ndërkaq e vështirë është rritja e çmimit të kopshteve publike është edhe për Blerta Murtezajn.

“Ka raste kur dy prindërit nuk punojnë, punon vetëm burri si në rastin tim, është e vështirë”, tha ajo.

Blerta Murtezaj, qyetare

Ndryshe, pasi janë vetëm 8 çerdhe publike në Prishtinë, kryetari Përparim Rama, gjatë fushatës zgjedhore pati premtuar subvencionimin e prindërve që dërgojnë fëmijët e tyre në kopshtet private me nga 50 euro. Mirëpo realisht tani është duke ndodhur e kundërta – çmimi në çerdhe private në Kosovë po shënon rritje.

E për këtë gjë Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Prishtinës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje./Telegrafi/