Home KOSOVË Rritja e çmimit të vajit, Kurti: Nuk është 3.50 por 3.49 cent!

Rritja e çmimit të vajit, Kurti: Nuk është 3.50 por 3.49 cent!

Ngritja e çmimeve si pasojë e krizës së shkaktuar nga lufta Rusi – Ukrainë, e në veçanti e vajit ushqimor, ka bërë që shumë qytetarë të futen në panik, dhe të fillojnë të bëjnë blerje për krijuar rezerva. Kjo ka shkaktuar edhe boshatisje të rafteve nëpër markete, e edhe ka lënë hapësirë për abuzim me çmime. Këtë dyshim e ka ngritur edhe kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri Kurti gjatë vizitës që i ka bërë një fabrike të vajit në Gjilan, ka ngritur dyshime, se në marketet e Kosovës mund të ketë një marrëveshje të brendshme për rritje të çmimeve të vajit, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë në kurriz të qytetarëve.

Këtë pretendim të tij kryeministri Kurti e ka lidhur edhe me çmimin uniformë nëpër markete, ku litra e vajit shfaqet me 3.49 euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Kurti ka thënë se është e mundur që të gjitha marketet i kanë lënë çmimin litrës së vajit 3.49 euro, e jo që dikush të paktën ta tregtojë atë me çmim tjetër, pse jo edhe me çmim fiks prej 3.50 euro.
“Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë do të thoshin që ndoshta edhe është e rastësishme, por ishte 3.49 cent. Anembanë marketeve në Kosovë po na njoftojnë qytetarët e Republikës, konsumatorët përmes fotografive të rafteve, çmimi identik 3.49 euro. 3.50 ndoshta do të ishte e rastësishmen por nuk është e rastësishme kjo përputhje anembanë Kosovës”, tha ai.

“Është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye, nevoje, për një fryrje të tillë”.

“Aktualisht çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të çfryhen”, tha ai.

Ai tha se çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial dhe se po bëhet për shkak se tregtarët po dëshirojnë të përfitojnë nga kjo krizë.
“Çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëz që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore e jo nga gjendja reale në Kosovë”, deklaroi Kurti. /Reporteri.net