Home Maqedoni Shaqiri: Paga më të larta do të ketë, nxënësit duhet ti rikthehen...

Shaqiri: Paga më të larta do të ketë, nxënësit duhet ti rikthehen mësimit

Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës para mediumeve vendore ka thënë se kërkesa e mësuesve për rritjen e pagave është legjitime dhe siguron se në të ardhmen e afërt do të ketë paga më të larta.

“Kërkesa për rritje të pagave të mësuesve është legjitime dhe paga më të larta do të ketë. Ky është një angazhim i Qeverisë dhe për këtë arsye në fillim të muajit të kaluar u rrit paga minimale, e cila do të harmonizohet me të gjitha pagat e tjera, duke përfshirë edhe ato në arsim, por përveç kësaj do të ketë rritje edhe me një përqindje të caktuar, gjë për të cilën jemi duke negociuar tashmë”, u shpreh Shaqiri.

Sipas ministrit rikthimi i nxënësve në shkollë është prioritet, gjithashtu edhe familjet e dëshirojnë këtë gjë.

“Është një proces që do të vazhdojë çdo ditë, derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare dhe e pranueshme për të gjitha palët. Por ajo që dua të theksoj në këtë konferencë për shtyp është se prioritet për momentin personalisht për mua si ministër dhe besoj edhe për shumë të tjerë, veçanërisht për familjet e nxënësve, është rikthimi i tyre në shkollë”, ka thënë ministri.