Home Maqedoni Shkollat në Tetovë pa nxemje!

Shkollat në Tetovë pa nxemje!

Shkaku i mungesës së ngrohjes ditë më parë, disa shkolla në Tetovë kanë punuar me orar të shkurtuar.

Nga sektori për arsim i komunës së Tetovës thonë se, kjo situatë sot është tejkaluar, ndërsa po punohet në drejtim të asaj që, edhe nëse paraqitet mungesë e lëndës djegëse në ndonjë shkollë, të mund të huazohen nga shkollat që kanë rezerva deri në tejkalimin e situatës, shkruan Alsat.

“Kishim disa kufizime në shkollën fillore “Kikish” dhe në shkollën e mesme mjekësore shkaku se çmimet e naftës janë rritur në mënyrë enorme. Problemi tjetër është se me shpërndarjen e bllok dotacioneve e kemi shkresë zyrtare nga Ministria e Financave se bllok dotacionet duhet shpërndarë në katër kuartale brenda një viti, ku në kuartalin e parë duhet shpërndarë vetëm një sasi e vogël e mjeteve dhe në kuartalin e katër të shpërndahen gjitha mjetet e bllok dotacioneve, kështu që shkollat mund të lidhin anekse shtesë me kompanitë  por kompanitë thonë se nuk mund ti furnizojnë shkollat sepse nuk furnizohen edhe vetë kompanitë nga ana e rafinerisë”, tha Nazmi Dauti. Shef i sektorit për Arsim.

Problem me mungesë të lëndëve djegëse ditë më parë ka pasur edhe një nga shkollat me numrin më të madh të nxënësve “Istigball”, por sot situata është normalizuar, njëjtë sikurse edhe në shkollën e mesme të mjekësisë.

“Dje u furnizuam me naftë në shkollën Qendrore “Istigball”, po ashtu në shkollën në Gajre dërguam shtesë peleta sepse Ligji është deri më 15 prill dhe nëse deri në këtë datë temperaturat janë nën tetë grade ne duhet t`iu sigurojmë kushte nxënësve”, u shpreh Rexhep Alili. Drejtor i Sh. F. “Istigball.

“Kemi gjetur mënyrën për tu furnizuar me naftë dhe aktualisht nuk kemi problem, por besoj që nuk do kemi edhe në të ardhmen sepse jemi në fazën e fundit të sezonit dimëror”, theksoi Binaz Pajaziti. Drejtor i Sh M të Mjekësisë.

Në Tetovë janë gjithsej 12 shkolla fillore dhe pesë shkolla të mesme, të cilat kryesisht ngrohen më lëndë djegëse naftë. Në shumicën e tyre, sipas informatave që morëm në Sektorin për Arsim, rezervat e naftës janë kah fundi, andaj, nga dje, kanë filluar me hapjen e tenderëve për furnizim me lëndë djegëse, me qëllim kalimin e sezonit të dimrit.