Home Maqedoni S’ka zgjidhje për mbeturinat në Pollogë, shtohen deponitë jolegale

S’ka zgjidhje për mbeturinat në Pollogë, shtohen deponitë jolegale

Edhe pse u premtua që para një muaji se deponitë e egra në qytetin e Tetovës do të pastroheshin shumë shpejtë, megjithatë një hap të tillë Komuna e Tetovës nuk e ka ndërmarrë ende. Madje edhe deponitë që u pastruan në hyrje të qytetit janë mbushur sërish.

“Nga komuna e Tetovës muaj më parë deklaruan se deponi të këtilla të egra, janë detektuar dhjetë në qytetin e Tetovës, dhe se së shpejti të njëjtat do të pastrohen, megjithatë edhe pas një muaji, deopnitë vazhdojnë të qëndrojnë në mes të qytetit dhe assesi të pastrohen”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar i Alsat.

Nga ndërmarrja publike komunale thonë se deponitë janë pastruar, por qytetarët të pandërgjegjshëm brenda natës i kanë mbushur sërish. Ata thonë se do të vendosin kamera në pikat kritike, me qëllim parandalimin e këtij fenomeni.

“Në këto mini deponi kemi vendosur që në faqe të komunës ti nxjerrim me kamera në live stream që të shohin qytetarët se si pastrohen dhe si do jetë më tutje. Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë me live kamera që ti shohin gjithë qytetarët se kush hedh dhe kjo do jetë një ndërgjegjësim për gjithë qytetarët e Tetovës”, deklaroi Daut Memishi, Zëvendës drejtor i NPK “Tetova” – Tetovë.

Ndryshe nga komuna e Tetovës, deponi të këtilla të egra ka edhe nëpër komunat rurale, sidomos në komunën e Tearcës.

Të pyetur në komunën e Tearcës, janë shprehur se kapaciteti i komunës për pastrimin e deponisë nuk është i mjaftueshëm, andaj bëjnë thirrje Ministrisë së Ekologjisë që të ndihmojë në këtë drejtim.

Nga organizatat ekologjike, kërkojnë pastrimin e menjëhershëm të tyre, por edhe dënimin e atyre që hedhin mbetjet vend e pa vend. Alarmojnë edhe për rrezikun e bartjes së sëmundjeve të ndryshme, me nxehjen e motit.

“Më tepër se kaq, ndikojnë edhe në përhapjen e sëmundjeve të ndryshme, sepse qofshin insektet ose zogjtë që frekuentojnë këto deponi por edhe qentë endacak, mund të bartin sëmundje të ndryshme nga njëra në pjesën tjetër të qytetit. Andaj është me rëndësi që këto deponi mos ekzistojnë dhe të ndërhyhet menjëherë dhe normal të gjobiten ashpër gjithë ata që i krijojnë këto mini deponi”, u shpreh Arianit Xhaferi, aktivist.

Deponi të egra ditëve të fundit po shtohen si kërpudhat pas shiut edhe nëpër komunat e tjera rurale të Pollogut. Ankesa më së shpeshti për krijim të deponive nëpër fusha, por edhe në pjesën e maleve, ka nga banorë të komunës së Bogovinës dhe komunës së Vrapçishtit.