Home Maqedoni State Department: Bullgaria dhe Maqedonia të negociojnë, ndërsa BE-ja të vendos për...

State Department: Bullgaria dhe Maqedonia të negociojnë, ndërsa BE-ja të vendos për zgjerimin

ShBA-ja konsideron se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet ta zgjidhin mosmarrëveshjen në baza bilaterale përmes negociatave dhe dialogut, dhe megjithëse çështja e zgjerimit të BE-së varet nga vetë BE-ja, ShBA shpreson se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të BE-së, transmeton Portalb.mk.

“Diskutimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është me të vërtetë diçka që vendet duhet ta zgjidhin në baza dypalëshe përmes negociatave me vullnet të mirë dhe dialog, gjë që besoj se po e bëjnë. Por sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian, është gjithashtu çështje për Bashkimi Evropian që të vendosë. Nga perspektiva jonë, ne shpresojmë që çdo vend në Ballkanin Perëndimor, të gjashta, përfundimisht do të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian,” tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, duke iu përgjigjur pyetjes së Sdk.mk nëse Bullgaria me veton e saj të palëkundur ndaj eurointegrimeve të Maqedonisë rrezikon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në brifingun për sanksionet e ShBA-së në rajon.

Lidhur me futjen në listën e zezë të shtatë personave nga Ballkani Perëndimor nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë ish-zyrtarët maqedonas Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijalkov, zyrtari i lartë i Ministrisë amerikane të financave tha se veprimet e tyre jo vetëm që kontribuan në rritjen e korrupsionit, por edhe se rrezikuan stabilitetin e rajonit.

“Pothuajse i gjithë aktiviteti politik destabilizues që shohim në rajon është disi i lidhur me korrupsionin”, deklaroi zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se “politika e SHBA-së mbështet të gjitha përpjekjet për ta afruar Ballkanin Perëndimor më afër  Evropës, kjo vlen për të gjithë ata dhe përfshin mbrojtje kundër korrupsionit dhe veprimtarisë kriminale”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.