Home SHQIPËRI Tiranë: Sanksione për oligarkët rusë, mbështetës të luftës

Tiranë: Sanksione për oligarkët rusë, mbështetës të luftës

Ndërkohë që në Bruksel zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s, ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja deklaroi, se ka bashkëpunim me aleatët për sanksione ndaj oligarkëve rusë me prona në Shqipëri.

Ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja, deklaroi të mërkurën, (06.04) se “Shqipëria po bashkëpunon ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të vendosur sanksione ndaj aseteve të rusëve, nëse do të ketë një listë të personave të shpallur si mbështetës të luftës në Ukrainë.” Ai tha se ”nuk ka ende një listë të oligarkëve rusë që kanë prona në Shqipëri dhe që janë mbështetës të luftës në Ukrainë”.

Duke nxjerrë në pah kontributin e Shqipërisë, si vend anëtar i NATOs, Ministri i Drejtësisë, Manja, vuri në dukje se “Shqipëria është pjesë e grupit të shteteve që e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe kanë vendosur sanksione. Ne, si qeveri, do të zbatojmë deri në fund angazhimet që kemi marrë përsipër.”

Sanksione për agresorët rus, mbështetje dhe solidaritet për Ukrainën

Deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, përkon në kohë me zhvillimin në Bruksel të takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, që përfundon sot.(07.04). Burime zyrtare nga Ministria për Europën dhe Punët  e Jashtme thanë për Dë që në qëndër të takimit është situata në Ukrainë dhe „ꞔfarë mund të bëhet më shumë në mbështetje të Ukrainës.”

Shqipëria iu bashkua menjëherë Bashkimit Europian në masat shtrënguese kundër Rusisë si përgjigje për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Autoritetet e saj deklaruan se “Shqipëria qëndron në unison me NATO-n dhe BE dhe do të zbatojë të gjitha angazhimet e marra në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët.”

Tri ditë pas agresionit rus ndaj Ukrainës, më 27 shkurtin e kaluar, Shqipëria mbylli hapësirën e saj ajrore për të gjithë operatorët ajrorë rusë dhe ꞔdo avion të regjistruar në Rusi me “përjashtim të fluturimeve për arsye emergjence, qëllime humanitare apo mjekësore.”  Në të njëjtën datë Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi masa kufizuese dhe ngrirjen e aseteve për 654 individë dhe 52 subjekte. Shqipëria ndërmori sanksione ekonomike me masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji dhe ndaloi shitjen, furnizimin, transferimin ose eksportin në Rusi të mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës, industrinë e aviacionit dhe të hapësirës.

Krahas sanksioneve Shqipëria është treguar solidare me rezistencën e Ukrainës kundër pushtimit rus dhe ka ofruar mbështetje humanitare. Në mes të muajit të kaluar qeveria Rama mori vendimin që shtetasit ukrainas, që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës, mund të vijnë dhe të jetojnë në Shqipëri pa leje qëndrimi për një vit. Deri tani Shqipëria ka pritur 605 shtetas ukrainas, të cilëve u është dhënë mbrojtje e menjëhershme në përputhje me kuadrin ligjor për azilantët.

Koncepti i ri strategjik i NATO-S

Hartimi i një koncepti të ri strategjik të NATO-s është pjesë e diskutimeve të ditës së dytë të takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare (07.04.). Burime zyrtare nga selia qendrore e NATO-s në Bruksel* citojnë Sekretarim e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të ketë thënë që “koncepti i ri strategjik është një dokument i rëndësishëm, që paraqet se si NATO duhet të vazhdojë të jetë aleanca më e fortë në histori, duke u përballur me një botë më të rrezikshme dhe një realitet të ri të sigurisë. Ne duhet të mbështesim Ukrainën, të mbajmë sanksionet tona, të forcojmë mbrojtjen dhe parandalimin, sepse lufta mund të zgjasë për një kohë të gjatë dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë.”

Të njëjtat burime citojnë Stoltenberg të ketë theksuar që “ky koncept do të sigurojë që NATO do të vazhdojë të mbrojë të gjithë aleatët e saj”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha të mërkurën, (06.04) se koncepti i ri strategjik i NATO-s duhet të adresojë “pasojat e sigurisë nga veprimet agresive të Rusisë, ndryshimin e balancës globale të fuqisë, pasojat e sigurisë nga një Kinë shumë më e fortë dhe sfidat që Rusia dhe Kina po parashtrojnë së bashku ndaj rregullave tona të bazuara në rendin ndërkombëtar dhe vlerat demokratike”. Vendimi lidhur me konceptin e ri strategjik do të merret në samitin e NATO-s në Madrid, në qershor të këtij viti.

Koncepti i deritanishëm strategjik i NATOs, i njohur si “Smart Defence” u paraqit në Samitin e NATO-s në Lisbonë, në nëntor të vitit 2010 dhe u zhvillua më tej në samitin e NATO-s në Çikago, në Maj 2012. Qëllimi i tij ka qënë që ta bëjë Aleancën Atlantike më efikase, më të adaptueshme ndaj sfidave që nxjerr realiteti dhe çështjeve që lidhen me sigurinë./DW