Home Rajon Vettingu në drejtësi, Haxhiu: Dy herë kam takuar opozitën për t’i bindur...

Vettingu në drejtësi, Haxhiu: Dy herë kam takuar opozitën për t’i bindur se nuk bëjmë hakmarrje


Ministrja Haxhiu thotë se nuk kanë për qëllim që të vendosin njerëzit e tyre në sistemin e drejtësisë, ashtu siç ajo pretendon se bëri opozita e sotme sa ishte në pushtet.

Për procesin e Vettingut në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo thotë se Vettingu është kërkesë e shoqërisë.

“Ndër prioritetet kryesore në fushatën tonë zgjedhore kanë qenë drejtësia dhe punësimi. Për Vettingun ne kemi përkrahjen e plotë të organizatave të shoqërisë civile. Pra, jemi në një linjë. Por organizatat e shoqërisë civile mendojnë se ne ende nuk kemi arritur ta bindim Bashkimin Evropian për nevojën e Vettingut në drejtësi”.

Ajo megjithatë thotë se ka pasur takime të shumta me ndërkombëtarët pikërisht për të bindur ata për nevojën e Vettingut.

“Edhe në Raportin e Progresit dhe Raportin e DASH vlerësohen problemet e shumta që kemi në sistemin e drejtësisë. Ne kemi filluar reformën në drejtësi pikërisht duke u bazuar mbi raportet e ndërkombëtarëve”.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se nuk do të ketë “hakmarrje” ndaj opozitës me procesin e Vettingut.

Ministrja Haxhiu gjatë intervistës në emisionin ” Përballje” në Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova

“Atë që ka bërë opozita e sotme sa ka qenë në pushtet ne kurrë nuk do ta bëjmë. Këta kanë dërguar në sistemin e drejtësisë njerëzit e tyre, ne nuk veprojmë ashtu”.

“Dy herë kam takuar opozitën dhe jam munduar t’i qetësojë nëse përnjëmend e kanë një mendim të tillë [hakmarrje përmes Vettingut]. Në një mekanizëm të tillë do të ketë rol edhe Kuvendi dhe partnerët ndërkombëtarë. Qeveria nuk ka kompetencë në këtë rast. Ne kemi kompetencë deri sa i dërgojmë në Kuvend”.

Duke folur për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit, Haxhiu thotë se nuk është e kënaqur me zhvillimin e procesit dhe ajo thotë se procesi duhet të fillojë nga e para. /Telegrafi/