Home Uncategorized “Vizitimi i vetvetes...”, 18 tregime të Rilind Dautit me motive fantastiko-shkencore

“Vizitimi i vetvetes…”, 18 tregime të Rilind Dautit me motive fantastiko-shkencore

Posa ka dalë nga shtypi libri “Vizitimi i vetvetes dhe tregime të tjera”, të autorit të ri nga Shkupi, Rilind Dauti, që është libri i dytë i tij, pas atij të vitit të kaluar, por nga fusha profesionale e tij, “Paradiplomacia në Ballkanin perëndimor”.

“Vizitimi i vetvetes…”, paraqet përpjekjen e tij të parë në fushën e letërsisë ku përfshihen 18 tregime me motive fantastiko-shkencore, që paraqet një lloj letrar më pak të lëvruar në letërsinë shqipe.

Recensenti Nijazi Muhamedi, ka shkruar se “VIZITIMI I VETVETES”, është një tregim në të cilin alternohen dy teknika narrative, me një ndërthurje të precizuar, shpërfaqet vokacioni rrëfimtar i autorit për ta alternuar fantastiken me realitetin, ose metaforën e fantastikes si një realitet i ëndërruar, ose realitet i transfiguruar në metaforë të fantastikes. Kjo fakton një stërvitje krijuese autentike të autorit, dhe kjo po ashtu përbën tharmin e stilit të tij. Edhe këtu sikur paralajmërohet nga ana e autorit se do bëjë udhën krijuese në këtë univers që i fle në shpirt dhe për krijimtari, për t’i dhënë kuptim idesë dhe vizionit të tij krijues. Këtë udhëtim të përzgjedhur nga ana e autorit, do ia rekomandoja autorit edhe unë, që ta mbajë dhe ta kultivojë po ashtu në nivel të dhuntisë së lindur krijuese që ka. Ndërkaq, tek ‘TREGIMET TJERA”, sipas Muhamedit, kemi po ashtu një ndërthurje të rrëfimit përmes dy teknikave narrative, ndërsa rrëfimi bëhet më i lirshëm në alternimet e fantastikes  së Universit me një projektim të përplasjes së saj me realitetet individuale, apo kolektive, ose kur fantastikja rikuptimësohet si një metaforë që aludon apo e hedh si elipsë e ndjerë si një kërcënim nga realiteti kolektiv.

Botimin e këtij libri e ka përkrahur Ministria e Kulturës e RMV-së.