Home Maqedoni Xhaferi uron romët: Shpirti juaj i fuqishëm e pasuron përditshmërinë në kohërat...

Xhaferi uron romët: Shpirti juaj i fuqishëm e pasuron përditshmërinë në kohërat e vështira

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka uruar qytetarët rom në ditën ndërkombëtare të këtij komuniteti.

Xhaferi ka thënë se qytetarët rom në këtë ditë të rëndësishme i uron në emër personal po edhe në emër të të gjithë përfaqësuesve të popullit (deputetëve), njofton indeks.mk

“51 vjet nga Kongresi I Parë i Romëve në vitin 1971, dhe gjithsesi, 21 vit nga shënimi i romëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këto janë data të rëndësishme për ju si bashkësi, por më e rëndësishme është ajo se sa në gjithë këtë periudhë arritët të integroheni, të përfshiheni dhe të kontribuoni në të gjitha ndryshimet që ndodhin përreth jush, dhe më e rëndësishme se gjithçka, sa ishte shoqëria e hapur ndaj jush, ju shtriu dorën që të jeni pjesë e atyre rrjedhave dhe të ndërtoni në mënyrë aktive bashkë me të gjithë qytetarët tjerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut ardhmërinë tuaj, ardhmërinë e fëmijëve tuaj dhe përparimin individual dhe kolektiv. Shoqëria jonë multikulturore, multikonfesionale dhe multietnike nuk është e plotë dhe e kompletuar në qoftë se shpirti juaj i fuqishëm dhe po aq i gjerë nuk do e pasuronte përditshmërinë me gjallërinë e vet edhe në kohërat më të vështira”, ka shkruar Xhaferi.

Sipas tij, një gjë është e sigurt, ndryshimet, ndikimet e mira apo të këqija, nuk ju anashkalojnë por përkundrazi, lënë shenja të përhershme edhe mbi ju si edhe mbi çdo qytetar tjetër të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Le të jetë ky vit, vit i ndryshimeve kah më e mira për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, le të jetë vit në të cilin bashkësia rome edhe vetë do e hapë rrugën kah përmirësimi i cilësisë së jetës për vete, për fëmijët e vetë. Obligimi ynë si shtet dhe si institucione shtetërore dhe të zgjedhurit e popullit është të jemi pranë Jush në çdo hap përpara. Urime 8 Prilli, Dita ndërkombëtare e romëve!”, thuhet në urimin e Xhaferit./indeks.mk/