Home KOSOVË Zgjedhjet serbe, vendet e QUINT-it dalin me deklaratë: Jemi të zhgënjyer nga...

Zgjedhjet serbe, vendet e QUINT-it dalin me deklaratë: Jemi të zhgënjyer nga vendimi i Qeverisë së Kosovës

Vendet e QUINT-it kanë reaguar sot lidhur me refuzimin e Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duke thënë se Kosova është ajo që vendos, por thonë se janë të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i.

Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të QUINT-it, gjegjësisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së shprehin keqardhje për mungesën e marrëveshjes për të mundësuar votimin e serbëve të Kosovës brenda Kosovës në zgjedhjet e ardhshme të Serbisë.

Deklarata e plotë:

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë angazhuar intensivisht me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit për të gjetur një zgjidhje pragmatike për t’u lejuar qytetarëve të Kosovës që kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë më 3. 3 prill 2022.

Ne e pranojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës që të vendos nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare.

Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të cenojë aspiratat evropiane.

Pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, ne mirëpritëm përafrimin e Kosovës me deklaratat e miratuara nga BE-ja. Megjithatë, presim që Kosova gjithashtu të mbajë përgjegjësinë e saj ndaj stabilitetit rajonal dhe të respektojë proceset demokratike, si dhe të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të grupeve minoritare.

Presim që Qeveria e Kosovës të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë për uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është thelbësore për të arritur progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit që përfundimisht do të zhbllokojë perspektivën e Kosovës në BE.

Ne përsërisim thirrjen tonë të fortë ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që rrit tensionet dhe mund të çojë në incidente.