Nënkryetari i BDI-së, deputeti Arbër Ademi në emër të kryetarit Ali Ahmeti, ishte pjesmarrës në Akademinë përkujtimore kushtuar veprimtarit të detvotshëm të çështjes kombëtare, Jonuz Musliut dhe në homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Ademi në fjalimin e tij theksoi se Jonuz Musliu do të mbetet si një misionar i devotshëm që u bëri ballë të gjitha sfidave, i paepur qëndroi nëpër kazamate, ishte në vijën e pare të kauzës kombëtare për barazinë mbarëshqiptare, me përkushtim i priu UÇPMB-së, Kuvendit të Komunës së Bujanocit dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës.

Para qindra të pranishmëve, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi përcolli edhe mesazhin e kryetarit të BDI-së, bashkëveprimtarit të Jonuz Musliut, Ali Ahmetit “duhet t’i ngjeshim radhët e ta zgjerojmë frontin për t’u bërë pjesë e familjes evropiane; ka forca e qarqe regresive që nuk e dëshirojnë këtë, por jemi të bindur se me vullnet e durim do të vëhen në jetë edhe idealet për të cilat luftoi deri në fund të jetës edhe baca Jonuz”.