Arta Bilalli-Zendeli, nga ‘Fronti për Evropën’, ka folur për situatën në Maqedoninë e Veriut, për situatën parazgjedhore atje, si dhe për votën pro anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë e KiE-së.

Ajo në fillim foli për votën e saj pro anëtarësimit të Kosovës në KiE, meqë është anëtare e Asamblesë në KiE, si përfaqësuese e Maqedonisë së Veriut.

Arta Bilalli-Zendeli tha se për këtë çështje, jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe shqiptarët nga viset tjera, tërë kohës kanë qenë të bashkuar me synimin final- anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Bilalli-Zendeli tha se Kosova, si shtet i pavarur, duhet të hapërojë në organizatat ndërkombëtare.

“Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, si shtet, hap perspektiva të mira edhe në anëtarësimin e saj në organizmat tjerë ndërkombëtarë”, tha Bilali-Zendeli, në “InfoPlus”, në RTK.

Ndërkaq, duke folur për situatën në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale e parlamentare atje, Bilalli-Zendeli, sqaroi për angazhimin e partive politike të bashkuar në një front të përbashkët, në ‘Frontin për Evropën’.

Sipas saj, fushata zgjedhore atje, tani për tani, është e qetë dhe kryefjala e fushatës është kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Bilalli-Zendeli foli edhe për kushtin që duhet plotësuar nga Maqedonia e Veriut për t’u anëtarësuar në BE e që ka të bëjë me njohjen e pakicës bullgare në këtë vend, derisa sqaroi më tej se kjo çështje po pengohet nga opozita maqedonase, nën pretekstin se me këtë do të rrënohet historia e Maqedonisë. Krejt kjo, sipas saj, me motive politike.

“Njohja e pakicës bullgare plotëson kushtin për të ecur përpara në kapitujt tjerë në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE”, deklaroi Bilalli-Zendeli.